A do i fitojë Edi Rama zgjedhjet e ardhshme? Fevziu tregon kush mund të jetë fituesi

Gazetari Blendi Fevziu ka komentuar situatën aktuale politike, ku thotë opozita duket e unifikuar pavarësisht përpjekjet për ta përçarë. Ai thotë se situata në vazhdim do të ketë shumë të panjohura, duke shtuar se opozita ka shumë shanse t’i fitojë zgjedhjet.

“E para është shumë sempliciste si pyetje të thuash se çfarë është bërë mirë dhe keq nga kjo maxhorancë. Për mua duhet të shikosh premtimet e kësaj maxhorance. Në këtë mandat të dytë kjo maxhorancë hyri në fushatë pa asnjë premtim elektoral. Hyri me dajre, me tepsi, dhe nuk është bërë asgjë mbi gjërat reale. Nuk mendoj që meriton absolutisht një mandate të tretë. Por sigurisht nuk e ndal këtë maxhorancë të kërkojë një mandat të tretë. Ne nuk kemi as edhe një sondazh konkret”, u shpreh ai.

I pyetur në lidhje me mundësitë që ka opozita për të ardhur në pushtet, Fevziu tha se duhet një frymë e madhe entuziasmi që opozita të mundë Ramën, ndërkohë që e shikon Bashën në rrugën e duhur për të sjellë opozitën në pushtet.

“E para njëherë maxhoranca duhet të ketë një opozitë shumë të fortë. Gjashtë muaj para zgjedhjeve, opozita duhet të ketë një avantazh të fortë, sepse dihet makineria e maxhorancës që në këto moment fuqizohet. Por duhet një frymë entuziasmi që publiku të shkojë dhe të votojë. Nëse publikut i thuhet që vota juaj do të vidhet, kjo do të ishte demotivim për publikun. Ne jemi ende të paqartë sesi mund të shkojmë në zgjedhje, me lista të hapura, të mbyllura. Ne nuk dimë nëse PD do të dalë e vetme në këto zgjedhje, apo do dalë në koalicion”, shprehet Fevziu në një intervistë televizive.