Çfarë thoshte Gjykata Kushtetuese për “12 miljet” në vendimin e vitit 2010

Zgjerimin me 12 milje të detit territorial, politikanët grekë e kanë shpallur si fitoren më të madhe kur flitet për marrëveshjen me Shqipërinë. Megjithëse nuk ka ende marrëveshje të firmosur, grekët e përmendin këtë fakt duke impresionuar në anën tjetër të kufirit dhe duke ngritur shqetësime në anën tonë.

Vlen të dallohet në retorikën e diplomacisë greke se fitoren për 12 miljet e brohoriti njësoj, si Nikos Kocias i Syriza kur ishte Ministër i Jashtëm, ashtu edhe Kirjakos Micotakis i Demokracisë së Re, tani që është kryeministër. Dhe këtë fakt, pra zgjerimin me 12 milje ata e përmendin gjithnjë, kur flasin për marrëveshjen e detit me Shqipërinë.

Ndërkohë, si Ditmir Bushati kur ishte Ministër i Jashtëm, ashtu edhe Edi Rama pas tij, thonë se çështja nuk ekziston dhe se zgjerimi me 12 milje nuk e prek hapësirën detare të Shqipërisë.

Por si u trajtua koncepti i zgjerimit të detit territorial në vendimin e Gjykatës Kushtetuese në vitin 2010?

Togfjalëshi “12 milje” përmendet 6 herë në vendimin e Gjykatës dhe në të gjitha rastet merret e mirëqënë e drejta e një shteti për t’u zgjeruar deri në 12 milje, për sa kohë që hapësira detare ia lejon këtë gjë.

Në nenin 65 përmendet se si lindi nevoja për një set konventash për rregullimin e kufijve detarë, pasi shetet nisën zgjerimin e kufijve pas luftës së dytë botërore.

“Mbi këtë bazë, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, shumë shtete bregdetare deklaruan në mënyrë të njëanshme jo vetëm zgjerimin e ujrave territoriale nga 3 deri në 12 milje detare (në disa raste me pak ose më shumë se kaq) , por edhe shtrirjen e juridiksionit kombëtar mbi shelfin kontinental dhe hapësirën ujore respektive deri në 200 milje detare.

VENDIMI I GJYKATES KUSHTETUESE PER MARREVESHJEN E DETIT

Në nenin 73 të vendimit të Gjykatës sqarohet koncepti i Detit Territorial dhe duke iu referuar nenit 2 te Konventës për Detin thuhet se ky mund të shkojë deri në 12 milje.

“Gjerësia e Detit Territorial mund të shkojë deri në 12 milje detare, nga vija bazë që përcaktohet në përputhje me dispozitat e Konventës (neni 3 i Konventës).

VENDIMI I GJYKATES KUSHTETUESE PER MARREVESHJEN E DETIT

Në nenin 78 të vendimit, sqarohet koncepti i Zonës së Puqur dhe kompetencat që ka shteti mbi këtë vijë. Edhe kjo thuhet se mund te shtrihet deri ne 24 milje nga vija bazë, pra 12 milje pas Detit territorial.

“Zona e Puqur (ose në Vazhdim) është hapësira detare në vijim të Detit Territorial, në të cilën shteti bregdetar ka disa kompetenca të kufizuara, kryesisht të natyrës administrative. Gjerësia e Zonës së Puqur mund të shkojë deri në 24 milje nga vija bazë ku fillon gjerësia e Detit Territorial (shih nenin 33/2 te Konventës). Pra, Zona e Puqur mund të shtrihet deri në 12 milje të tjera pas mbarimit të kufirit të jashtëm të Detit Territorial”

VENDIMI I GJYKATES KUSHTETUESE PER MARREVESHJEN E DETIT

Në nenin 80 Gjykata thekson edhe një herë se Deti Territorial që shtrihet deri në 12 milje, konsiderohet pjesë e mirëfilltë e territorit shtetëror.

“Gjykata rithekson se në këndvështrimin kushtetues, konsiderohen si pjesë të mirëfillta të territorit shtetëror edhe Ujrat e Brendshme dhe Deti Territorial deri në 12 milje detare nga vija bazë, hapësira ajrore mbi to si dhe shtrati i detit dhe nëntoka e tyre. Në këto hapësira zbatohet padyshim legjislacioni i brendshëm i shtetit bregdetar”

VENDIMI I GJYKATES KUSHTETUESE PER MARREVESHJEN E DETIT

Në nenin 82.2 Gjykata Kushtetuese e merr të mirëqenë zgjerimin e një shteti deri në 12 milje, por saktëson se në 90% të rasteve kur flitet për ndarjen e kufirit mes Shqipërisë dhe Greqisë brigjet janë më pranë njëri-tjetrit për të siguruar këtë hapësirë për secilin nga dy vendet.

“Marrëveshja objekt shqyrtimi mban titullin “Marrëveshje ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të Shelfit Kontinental dhe të zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Në fakt, siç rezulton edhe nga hartat respektive të paraqitura, në rastin konkret, të paktën përsa i përket Republikës së Shqipërisë, rreth 90% e hapësirave detare të ndara me Republikën e Greqisë janë Ujra të Brendshme dhe Det Territorial. Konkretisht, nga 150 rrathet që shërbejnë për delimitimin e kufirit detar nga pjesa fundore e Kanalit të Korfuzit deri në veri të tij, 140 prej tyre kanë rreze më të vogël se 12 milje detare. Pra, marrëveshja në fjalë nuk ndan Shelf Kontinental në kuptimin juridik, ashtu siç thuhet në titull, por kryesisht Ujrat e Brendshme dhe Detin Territorial.”

VENDIMI I GJYKATES KUSHTETUESE PER MARREVESHJEN E DETIT

Dhe neni i fundit që trajton çështjen e zgjerimit me 12 milje është ai me nr.86 në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Aty jepet një propozim, që nëse dy vendet nuk arrijnë një marrëveshje, atëherë këtë mund ta bëjë Gjykata Ndërkombëtare për të Drejtën e Detit, por si përfundim saktësohet edhe një herë e drejta e një shteti për t’u zgjeruar me 12 milje.

“Në rastin e Ujrave të Brendshme dhe Detit Territorial përsërisim se sovraniteti i shtetit bregdetar është i plotë dhe shtrihet edhe mbi hapësirën ajrore si dhe shtratin e detit dhe nëntokën e tij, deri në 12 milje detare”

VENDIMI I GJYKATES KUSHTETUESE PER MARREVESHJEN E DETIT

Është e qartë se Gjykata nuk lë asnjë hapësirë për dyzime apo nuk ka asnjë nënkuptim. Duke iu referuar Konventës së Montego Bay, edhe Gjykata Kushtetuese që rrëzoi marrëveshjen e parë me arsyetimin se favorizonte grekët në caktimin e kufijve, e ka zhbërë totalisht debatin për zgjerimin e Greqisë me 12 milje.

Atëherë përse shitet një çështje e tillë si fitore në Greqi? Një shpjegim mund të jetë manovra e politikanëve grekë për ta shuar debatin e brendshëm për marrëveshjen, pasi vetë deklarata e “zgjerimit të kufijve me 12 milje” mjafton për të bërë të heshtë çdo zë kundër. Por nuk përjashtohet as tentativa për ta devijuar debatin nga “problemi” kryesor që evidentoi Gjykata Kushtetuese në 2010.

Ky problem ishte mënyra se si u llogarit vija ndarëse e kufirit detar. Mënyra që u përdor nga grupi i parë negociator në 2009 favorizoi Greqinë. Mënyrën që pranoi grupi negociator para 3 vitesh për marrëveshjen e mbetur pezull, nuk e dimë ende.©Lapsi.al