6 orë në pyetje, përfundon intervistimi i Presidentit të Kosovës nga prokuroria e Hagës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi që prej orës 13:00 po merrej në pyetje në Hagë me ftesë të Prokurorit të Specializuar dhe pak më parë ai ka dalë nga seanca.

Shkurtimisht për mediat ai tha se: Sot dëgjova bisedën juridike mes avokatit dhe prokurores. Nesër do të rikthehem përsëri për ta vijuar këtë proces. Nuk kam asnjë koment tjetër për të bërë sot

Kujtojmë se Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi në 24 qershor, vetëm tre ditë përpara takimit të organizuar në Washington për dialogun Kosovë-Serbi ku do të merrte pjesë dhe Thaçi, se i kishte dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti kosovar, kryetari i PDK-së Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Dhjetëra shqiptarë e pritën sot në mbërritje, të mbledhur për të protestuar kundër ngritjes së aktakuzës ndaj tij dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli.

Avokati mbrojtës i Thaçit është juristi amerikan me mjaft eksperiencë, Pierre-Richard Prosper, i cili ka shërbyer si Ambasador i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çështje të krimeve të luftës, në Administratën e ish presidentit George W. Bush.